Këmbana e Lirisë - "The Liberty Bell"

 

 

Megjithësë Philadelphia është një nga qytetet më të mëdha të Amerikës, kur vjen nga New-Yorku të duket sikur lëvizja e njerëzve e madje edhe e makinave është e ngadalësuar. Njerëzit duket sikur janë më të ngeshëm, edhe pse është një ditë e zakonshme pune. Duke hyrë në periferinë e qytetit, pasi ke udhëtuar nëpër rrugët e pastërta, të rrethuara anëve me barë e drunj të shumëllojshëm, menjëherë të bien në sy zhgarravinat nëpër muret dhe qepenat e dyqaneve, garbixhet me plehra të pështjella në thasë të zinj që presin të pastrohen. Këtu shihet më qartë fenomeni që ndodh tani nëpër qytetet e mëdha amerikane, banorët e hershëm largohen për të banuar në periferi - në "Upstate", dhe vendin e tyre e zënë emigrantët e rinj të ardhur nga të gjitha vendet e botës. Gjatë rrugës për në qëndrën e qytetit sheh mjaft godina të braktisura të fabrikave dikur të lulëzuara - shenjë kjo e rënies së përkohshme, që ka pllakosur këto vitet e fundit edhe ekonominë amerikane. Por ky vend ka provuar rënie edhe më të mëdha ekonomike dhe ka ditur jo vetëm t'i përballojë, por edhe të dalë me sukses prej tyre.

Philadelphia është ndërtuar buzë lumit të gjerë Delaware, i cili jo vetëm i jep hijeshi qytetit, por edhe e lidh me detin. Gjatë bregut të lumit ka shumë parqe, midis të cilëve dallojnë Pen Treaty Park, ku William Penny, guvernatori i Provincës së Pensilvanisë pati bërë paqe me fiset indiane, Delaware Park etj. dhe mjaft lokale për të pushuar dhe për të dëgjuar muzikë, ndërsa në shumë vende janë ankoruar anije të vogla dhe motobarka.

Në Philadelphia ka shumë objekte historike dhe kulturale me rëndësi jo vetëm për shtetin e Pensilvanisë, por mbarë vendin. Ato ndodhen kryesisht në qendrën e qytetit, e cila ruhet e pastër dhe e bukur. Qiellgërvishtësit me kupolat e ngjyrosura në blu i japin një pamje të bukur qendrës së Philadelphias, sidomos kur i kundron nga larg dhe ato duket sikur i kredhin majat e tyre lehtë e pa u kuptuar në kaltërsinë e qiellit.

Philadelphia është e njohur sidomos për qendrën e saj historike - City Hall ose Independence Hall, ku u shpall Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara dhe Këmbanën e Lirisë "The Liberty Bell" në sheshin para saj, të cilët presin e përcjellin me mijëra vizitorë çdo ditë jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por nga e gjithë bota. I gjithë ky kompleks është ruajtur në pamjen që ai ka patur 200 e ca vjet më parë. Vetëm Këmbana e Lirisë nuk është më në kullën ku pati lëshuar tingujt festivë të Shpalljes së Pavarësisë, por në parkun para Independece Hall, e mbuluar me xham.

Nga qindra mijëra këmbana që kanë gjëmuar me tingujt e tyre për të lajmëruar lirinë apo për të grishur për luftë kundër armikut që rrezikon lirinë e atdheut, vetëm këmbanës së qytetit të Philadelphias i takoi të quhet Këmbanë e Lirisë që në lindje të saj dhe me këtë emër të njihet në të gjithë vendin.

Ciceronja që shpjegonte historikun e "Këmbanës së Lirisë", një vajzë e re shtatshkurtër, ishte shumë e emocionuar atë ditë, dhe e shpjegoi këtë me faktin se ne ishim të parët vizitorë që vinim pas përgatitjeve që ishin bërë për të pritur presidentin e Amerikës, Bill Clinton. Mbase ishte kjo arsyeja që ajo u përpoq të ipte shpjegime sa më të plota dhe emocionante, sikur të donte të bënte një provë para se të fliste para presidentit.

Në vitin l732 Provinca e Pensilvanisë filloi të ndërtonte State House, që tani quhet Indipendence Hall, ku do të mbaheshin mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme. Në vitin l740 asaj iu shtua një kullë me tulla bashkë me shkallët dhe në vitin l750 një kullë druri. Në vitin l751 Isaac Noris, pasanik dhe në atë kohë spiker i Asamblesë, propozoi që të instalohej në kullë një këmbanë, që u porosit të derdhej në Londër. Ai zgjodhi si mbishkrim për këmbanën një varg nga Bibla, pikërisht vargun e dhjetë, kapitulli njëzet e pesë të librit të Levitikusit: "Shpall Lirinë në të gjithë Vendin për të gjithë Banorët e saj kudo që janë". Dhe me shërbimin që bëri gjatë gjithë jetës së saj ajo e meritoi emrin "Këmbana e Lirisë". Ky varg i vjetër u zgjodh për të nderuar pesëmbëdhjetëvjetorin e shpalljes së Kartës së Privilegjeve që i kishte dhuruar popullit të Provincës pronari i saj William Pen.

Këmbana erdhi nga Londra në vitin l752, por që në goditjet e para pësoi një të çarë. Ajo u riderdh nga dy fondatorët e Philadelphias, John Stow dhe John Pass, të cilët vunë emrat e tyre në vend të emrave të fondatorëve londinezë. Emrat e tyre i lexon edhe sot sipër këmbanës. Por fondatorët kishin shtuar shumë bakër dhe tingëllimi dilte i dobët, kështu që të kritikuar shumë nga populli, u detyruan ta riderdhnin përsëri. Ajo u vendos përfundimisht në vend në qershor të vitit l753.

Kjo këmbanë nuk u ndërtua si një këmbanë për të kumbuar në një vend kulti dhe për të grishur besimtarët për lutje, ajo u ndërtua për të thirrur në mbledhje anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme, anëtarët e bashkisë së qytetit, për të dhënë alarmin në raste zjarri, për raste festash, për raste vdekjesh të njerëzve të shquar etj. Anëtarët e Asamblesë që nuk vinin ose vonoheshin për në mbledhje pasi binte këmbana gjobiteshin dhe gjobat shkonin në favor të Spitalit të Pensilvanisë.

Por Këmbana filloi të kumbonte fuqishëm kur filloi kriza në marrëdhëniet me Britaninë e Madhe. Ajo kumboi kur u mbyll porti i Bostonit, kur nisën beteja e Lexingtonit dhe Concordit që shënuan fillimin e Luftës Revolucionare. Ajo lajmëroi thirrjen e Kongresit Kontinental për t'i dhënë George Washingtonit komandën mbi Ushtrinë Kontinentale. Të gjitha këto ngjarje acaruan konfliktin me Britaninë e Madhe dhe shpunë në shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë. Tani filloi misioni i vërtetë i Këmbanës, e cila mbante mbishkrimin "Shpall Lirinë në të gjithë Vendin...".

Deklarata e Pavarësisë u adoptua nga Kongresi i Dytë Kontinental me 4 korrik l776, por për shtypjen e shpërndarjen e kopjeve të saj nëpër koloni u deshën disa ditë, kështu që si ditë për paraqitjen e saj për aprovim u caktua 8 korriku.

Ajo ishte një ditë plot dritë e diell. Turma të mëdha populli u mblodhën para State House. Anëtarët e Komitetit të Sigurimit shkuan në sallën e gjykatës,, ku Deklarata u lexua nga John Nixon, një anëtar në zë i Komitetit të Shpëtimit për Pensilvaninë. Pas leximit të Deklaratës, filluan të gjëmonin tingujt e "Këmbanës së Lirisë" dhe të të gjitha këmbanave të qytetit dhe të rrethinave midis brohoritjeve të njëzëshme të popullit. Pastaj nëpër shesh parakaloi milicia dhe u zbrazën bataret e pushkëve. Në mbrëmje manteli i mbretit të Anglisë, simbol i pushtetit të tij, u nxuar nga State House dhe u dogj në zjarr midis entuziazmit të papërshkruar të popullit.

Por si Ditë e Pavarësisë në vitet e mëpastajme u caktua 4 korriku, dita kur u adaptua nga Kongresi Deklarata, që qe kremtuar me tingujt e Këmbanës së Lirisë.

Edhe Këmbanës iu desh të provonte peripecitë e Luftës Revolucionare. Në vitin l777 për të mos rënë në duart e ushtrisë britanike që marshonte drejt qytetit, "Këmbana e Lirisë" bashkë me të gjitha këmbanat e tjera të qytetit u transportua me një karvan prej 700 qeresh në Allentown dhe vetëm një vit më vonë u kthye në vendin e saj.

Kjo Këmbanë njoftoi shumë ngjarje të Luftës për Pavarësinë.

Me 24 korrik l826 ajo njoftoi vdekjen e njëkohshme të Thomas Jeffersonit dhe John Adamsit, të dy nënshkrues të Deklaratës dhe ish presidentë të Shteteve të Bashkuara.

Të çarën e madhe, që shihet edhe në fotografi, këmbana e pësoi më 8 korrik l835. Ajo u meremetua dhe kumboi deri më 23 shkurt l846, kur e çara u thellua edhe më shumë dhe nuk lejonte që të dilnin më tinguj.

Por edhe pa kumbuar ajo u bë simbol i lirisë në vitin l840 për Shoqërinë Amerikane Kundër Skllavërisë dhe si e tillë shërbeu gjatë të gjithë kohës së Luftës Civile në Amerikë.

Duke filluar nga viti l852, ajo u vendos në sheshin para Indipendence Hall, ku ndodhet edhe tani, për t'u soditur nga vizitorët si simbol i lirisë. Ajo ka shëtitur nëpër të gjitha qytetet e mëdha të Amerikës, me rastin e ekspozitave të ndryshme.

Kur largohesh nga "Këmbana e Lirisë", kur kujton mbishkrimin e saj: "Shpall Lirinë në të gjithë Vendin për të gjithë Banorët e tij kudo që janë" na kthehet mendja tek bashkëvëllezërit shqiptarë që vuajnë akoma nën sundimin e huaj dhe mbushesh me shpresë se dhe për ata do të kumbojë një ditë "Këmbana e Lirisë".

When you step out of this place, where the Liberty Bell stays, you can not forget what is writen on it: "I declare the Liberty allover the country for all it inhabitants whenever they are", and we bring in mind our Albanian brethrens that are suffering and we are filled with the hope that somedays and for them will ring the Liberty Bell.

 

Botuar në gazetën "Illyria", New York, 4 Korrik 1993

 

Back to Top